Lëvizja Rinore Rome dhe Egjiptiane zbatoi nismën “Mobilizimi komunitar si mjet për të ndikuar vendimmarrjen lokale për një strehim më të sigurt”, me mbështetjen e Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, duke u angazhuar në fuqizimin dhe mbështetjen e familjeve rome dhe egjiptiane për sigurimin e statusit juridik të banesave të tyre. Kjo nismë synoi përmirësimin e sigurisë së strehimit dhe të kushteve të jetesës për këto komunitete, të cilat përballen shpesh me sfida të shumta sociale dhe ekonomike.
Procesi i legalizimit të banesave informale mbetet një çështje e rëndësishme në Shqipëri, pasi në të kaluarën, për shkak të mungesës së legjislacionit të duhur, shumë familje ndërtuan banesat e tyre në mënyrë informale. Megjithëse institucionet shtetërore kanë ndërmarrë hapa drejt legalizimit, procesi vazhdon të shoqërohet me pengesa administrative dhe teknike, veçanërisht në regjistrimin në sistemin e kadastrës.
Në këtë kontekst, komunitetet Rome dhe Egjiptiane përballen me vështirësi shtesë, si mungesa e informacionit, diskriminimi dhe pengesat burokratike në institucionet publike. Për këtë arsye, Lëvizja Rinore Rome dhe Egjiptiane ndërmori një rol aktiv në informimin dhe rritjen e kapaciteteve të familjeve lidhur me procedurat administrative të legalizimit.
Nisma nisi me identifikimin e familjeve që kishin nevojë për asistencë juridike dhe teknike në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm. Ndër familjet e para që përfituan nga kjo mbështetje ishin familjet Kallku dhe Zerellari, të cilët sic deklarojnë në video kishin deklaruar banesat e tyre që nga viti 2005 dhe kishin pritur për vite të tëra për përfundimin e procesit të legalizimit.
Përmes informimit, këshillimit dhe ndërmjetësimit me institucionet vendore, organizata shoqëroi familjet gjatë takimeve me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Elbasan, duke lehtësuar komunikimin dhe përshpejtuar procedurat administrative. Gjatë zbatimit të nismës u hartuan dhe u dërguan 40 kërkesa individuale pranë ASHK-së Elbasan për përfundimin e procesit të legalizimit, si dhe 11 ankesa drejtuar Platformës së Bashkëqeverisjes për adresimin e rasteve të vonuara. Si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme, 15 familje rome dhe egjiptiane përfunduan procesin e legalizimit dhe u pajisën me leje legalizimi, ndërsa 17 familje të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi të dosjeve të tyre. Kjo nismë kontribuoi në rritjen e sigurisë së strehimit dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet përfituese, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin ndërmjet komunitetit dhe institucioneve vendore.

