14 individë punësohen në Fier përmes programit “Punë Publike në Komunitet” 💼

April 8, 2026

Nxitja e punësimit për individët e komuniteteve rome dhe egjiptiane mbeti një ndër prioritetet kryesore për fuqizimin ekonomik dhe përmirësimin e kushteve të jetesës. Në këtë kuadër, Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome (LRER) ndërmori një nismë për zbatimin e programit “Punë Publike në Komunitet” në Bashkinë Fier, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore.

Procesi nisi me një takim koordinues me nënkryetaren e Bashkisë Fier, gjatë të cilit u diskutua mundësia për përfshirjen e individëve nga komunitetet rome dhe egjiptiane në këtë program. Gjatë takimit, përfaqësuesit e bashkisë shprehën gatishmërinë dhe vullnetin për të mbështetur zbatimin e politikave që synojnë rritjen e punësimit për grupet në nevojë.

Në vijim, LRER zhvilloi takime edhe me Drejtorinë Rajonale të Punësimit në Fier, duke kërkuar bashkëpunimin për aplikimin dhe zbatimin e programit. Si rezultat i këtij koordinimi, u organizua një takim i përbashkët me Drejtorin e Drejtorisë së Gjelbërimit të Bashkisë Fier dhe përfaqësues të Zyrës së Punës, ku u vendos aplikimi në programin “Punë Publike në Komunitet”, me Drejtorinë e Gjelbërimit në rolin e punëdhënësit.

Përmes këtij bashkëpunimi u bë i mundur punësimi i 14 individëve punëkërkues të papunë, kryesisht nga komunitetet rome dhe egjiptiane, pranë Ndërmarrjes së Gjelbërimit në Bashkinë Fier. Programi parashikon që, për një periudhë njëvjeçare, të punësuarit të kishin një burim të qëndrueshëm të ardhurash për familjet e tyre, si dhe të përfitonin aftësi praktike për integrimin në tregun e punës.

Gjatë zbatimit të programit, 14 punëkërkuesit u mbështetën nga një mbikëqyrëse, e cila ofroi trajnime në vendin e punës dhe kontribuoi në rritjen e aftësive profesionale të tyre. Përmes këtij procesi, u synua që pas përfundimit të programit, disa prej përfituesve të kishin mundësi të vijonin punësimin pranë Ndërmarrjes së Gjelbërimit ose në sektorë të tjerë të tregut të punës.

Kjo nismë përfaqësoi një model pozitiv bashkëpunimi ndërinstitucional për krijimin e mundësive konkrete të punësimit dhe fuqizimin ekonomik të individëve nga komunitetet rome dhe egjiptiane në Bashkinë Fier. 🤝