Transparencë dhe llogaridhënie buxhetore në sektorin e punësimit gjatë hartimit të PBA 2025–2027

April 10, 2026

Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome (LRER) zbatoi projektin “Rritja e transparencës dhe llogaridhënies buxhetore përmes zbatimit të konsultimit publik në sektorin e punësimit”, me mbështetjen e skemës së granteve “BA Civil Society”, e zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Në kuadër të këtij projekti, LRER zhvilloi një sërë aktivitetesh advokuese për të nxitur transparencën dhe përfshirjen e shoqërisë civile në hartimin e Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA) 2025–2027, me fokus në politikat dhe programet e punësimit për komunitetet rome dhe egjiptiane.

Gjatë zbatimit të projektit, organizata zhvilloi takime me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive. Në këto takime u diskutuan prioritetet buxhetore dhe nevoja për rritjen e përfshirjes së grupeve të interesit në proceset e konsultimit publik.

Paralelisht, LRER bashkëpunoi me organizata partnere për të identifikuar problematikat dhe nevojat kryesore në fushën e punësimit, si dhe për të hartuar rekomandime konkrete për përmirësimin e programeve ekzistuese. Në vijim, organizata zhvilloi një trajnim mbi procedurat e hartimit të PBA-së, menaxhimin e shpenzimeve publike dhe rolin e shoqërisë civile në konsultimet publike.

Në kuadër të monitorimit të procesit, LRER analizoi draftin e PBA 2025–2027, duke konstatuar një rritje të buxhetit për programet e nxitjes së punësimit. Megjithatë, u evidentua nevoja për përmirësimin e treguesve të performancës, veçanërisht për punëkërkuesit nga komunitetet rome dhe egjiptiane. Për këtë arsye, organizata hartoi dhe dorëzoi sugjerime konkrete pranë institucioneve përgjegjëse dhe komisioneve parlamentare.

Në përfundim, LRER mori pjesë në seancat dëgjimore për buxhetin e vitit 2025, ku paraqiti rekomandimet e saj dhe kërkoi rritjen e transparencës, konsultimit publik dhe llogaridhënies në sektorin e punësimit.

Ky angazhim synon të ndikojë në përmirësimin e politikave buxhetore dhe në rritjen e mundësive për integrimin ekonomik të komuniteteve rome dhe egjiptiane.