“Green Generation” fuqizon komunitetet shkollore për energji të gjelbër dhe veprim klimatik

April 10, 2026

Në kuadër të nismës “Sunny Schools”, Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome (LRER) ka zbatuar projektin “Green Generation 3.0 – Shkollat e Angazhuara për Veprime Klimatike”, në partneritet me Open Society Foundations Western Balkans.

Projekti u shtri në disa bashki të vendit, përfshirë Shkodrën, Elbasanin dhe Tiranën, me synim promovimin e energjisë së rinovueshme, rritjen e ndërgjegjësimit për ndryshimet klimatike dhe fuqizimin e komuniteteve shkollore. Në total, panele fotovoltaike u instaluan në 15 shkolla: 7 në Bashkinë Shkodër, 6 në Bashkinë Elbasan dhe 2 në Bashkinë Tiranë. Instalimi i tyre ka kontribuar në uljen e kostove të energjisë elektrike dhe në krijimin e mundësive për riinvestimin e kursimeve në përmirësimin e kushteve në shkolla. Një nga rezultatet konkrete u arrit në shkollën “Ptoleme Xhuvani” në Elbasan, ku, falë kursimeve nga energjia diellore dhe mbështetjes së bashkisë, u realizua rikonstruksioni i tualeteve dhe oborrit të shkollës.

Paralelisht, LRER zhvilloi aktivitete ndërgjegjësuese dhe trajnuese me nxënës, mësues dhe prindër. Në 15 shkollat përfituese u organizuan trajnime dhe workshope mbi ndryshimet klimatike, energjinë e gjelbër dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme, duke rritur njohuritë dhe kapacitetet për veprim konkret në mbrojtje të mjedisit.

Projekti përfshiu gjithashtu trajnime për advokim, menaxhim projektesh dhe mbledhje fondesh, me synim fuqizimin e komuniteteve shkollore për të siguruar investime të qëndrueshme në të ardhmen. Nxënësit u angazhuan edhe në aktivitete kreative, përfshirë krijimin e videove ndërgjegjësuese dhe gara për promovimin e ideve mjedisore.

Një komponent i rëndësishëm ishte organizimi i takimeve informuese dhe forumeve komunitare, ku u diskutuan sfidat mjedisore dhe mënyrat për t’i adresuar ato. Gjithashtu, u analizuan të dhënat mbi konsumin dhe kursimet e energjisë, duke rritur transparencën dhe menaxhimin e përfitimeve.

Përmes “Green Generation 3.0”, janë ndërtuar bashkëpunime të qëndrueshme me drejtues shkollash, institucione lokale dhe komunitete, duke forcuar rolin e shkollave si qendra të veprimit klimatik dhe zhvillimit të qëndrueshëm. 🌍☀️♻️