Komuniteti i Rrapishtit forcoi zërin e tij në vendimmarrjen locale

April 27, 2026

Gjatë periudhës shtator 2025 – shkurt 2026, lagjja “5 Maj” në zonën e Rrapishtit në Elbasan u kthye në një shembull konkret të angazhimit qytetar, ku komuniteti rom u përfshi aktivisht në proceset e vendimmarrjes vendore dhe buxhetimit lokal.

Ky proces u zhvillua në kuadër të projektit “Zëri i Komunitetit: Fuqizimi i Romëve dhe Egjiptianëve për Vendimmarrje Lokale”, i zbatuar nga LRER me mbështetjen e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, me synim rritjen e pjesëmarrjes së komunitetit në qeverisjen vendore dhe përfshirjen e prioriteteve të tyre në buxhetin lokal.

Procesi nisi me sesione informuese me banorët e lagjes, të cilat krijuan hapësirë për ndërgjegjësim mbi të drejtat qytetare dhe rolin e tyre në vendimmarrje, duke shënuar hapat e parë drejt një komunikimi më të drejtpërdrejtë me institucionet vendore. Në vijim, përmes shpërndarjes së 150 pyetësorëve, u identifikuan nevojat dhe prioritetet kryesore të komunitetit në lidhje me shërbimet publike.

Një hap i rëndësishëm ishte ngritja e Grupit të Avokimit Komunitar, i përbërë nga 10 anëtarë, të cilët përmes trajnimeve të dedikuara fituan njohuri mbi buxhetimin me pjesëmarrje, advokimin dhe monitorimin e politikave publike. Si rezultat, komuniteti arriti të identifikojë katër prioritete kryesore, të cilat u prezantuan në procesin e buxhetimit vendor pranë Bashkisë Elbasan, ku ndër shqetësimet kryesore u renditën asfaltimi i rrugëve, pastrimi i përroit dhe vendosja e koshave të mbeturinave.

Procesi i advokimit u forcua më tej përmes takimeve të drejtpërdrejta me përfaqësues të pushtetit vendor dhe Këshillit Bashkiak, ku anëtarët e grupit prezantuan kërkesat e komunitetit. Në këtë kuadër, u ndërmor edhe një veprim konkret qytetar përmes hartimit dhe dorëzimit të një peticioni zyrtar, duke përforcuar më tej zërin dhe përfaqësimin e komunitetit.

Projekti përfshiu gjithashtu monitorimin e shërbimeve publike përmes një metodologjie pjesëmarrëse, i cili u finalizua me një raport me gjetje dhe rekomandime konkrete, si dhe me hartimin e një raporti studimor dhe një dokumenti me praktika të mira.

Në total, 150 banorë u përfshinë në aktivitetet e projektit, ndërsa ndikimi i tij u reflektua në rritjen e njohurive, forcimin e pjesëmarrjes qytetare dhe përmirësimin e dialogut me institucionet vendore. Ky proces dëshmoi se komunitetet e margjinalizuara mund të jenë aktorë aktivë në jetën publike, kur u jepen mundësi reale për përfshirje dhe ndikim. Fuqizimi i komunitetit nuk lidhet vetëm me informimin, por me krijimin e mundësive reale për përfshirje, dialog dhe ndikim. Përmes këtij rrugëtimi, banorët e lagjes Rrapisht ndërtuan jo vetëm një zë më të fortë, por edhe një rol më të dukshëm në vendimmarrjen që prek drejtpërdrejt jetën e tyre të përditshme