Rritje 12.5% dhe 10% e pagave për punonjësit e sektorit të pastrimit në Elbasan

April 29, 2026

Në sektorin e pastrimit në Elbasan, punonjësit përballen çdo ditë me sfida të shumta, që lidhen me pagat e ulëta, ngarkesën e lartë fizike të punës, mungesën e sigurisë dhe nevojën për një përfaqësim më të fortë në mbrojtje të të drejtave të tyre.

Në këtë kontekst, me nxitjen dhe angazhimin shumëvjeçar të Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome, u krijuan hapësira për sensibilizim, ndërgjegjësim dhe organizim kolektiv. Ky angazhim ka qenë pjesë e një procesi të gjatë pune në komunitet, duke mbështetur punëtorët që të njihnin më mirë të drejtat e tyre dhe të bëheshin më aktivë në mbrojtjen e tyre. Ky proces nxiti gjithashtu dialogun ndërmjet punëtorëve, pushtetit vendor dhe kompanisë private, me qëllim adresimin e çështjeve që lidhen me kushtet e punës dhe trajtimin e tyre.

Gjatë kësaj periudhe, LRER ka organizuar takime informuese dhe ndërgjegjësuese mbi të drejtat dhe detyrimet në punë, si dhe mbi rëndësinë e organizimit sindikal. Paralelisht, u punua për forcimin e strukturave përfaqësuese dhe rritjen e kapaciteteve për advokim dhe përfaqësim, në kuadër të një procesi të vazhdueshëm dialogu social të fokusuar në përmirësimin e kushteve të punës dhe vlerësimin më të drejtë të kontributit të punëtorëve.

Si rezultat i këtij angazhimi, u arritën zhvillime konkrete dhe të rëndësishme në përmirësimin e kushteve ekonomike të punëtorëve:

  • Rritje prej 12.5% e pagës për punonjësit e transportit të mbetjeve
  • Rritje prej 10% e pagës për punëtorët e pastrimit

Ky proces dëshmon se organizimi, ndërgjegjësimi dhe këmbëngulja e punëtorëve, së bashku me dialogun institucional dhe mbështetjen e shoqërisë civile, mund të sjellin ndryshime konkrete dhe të prekshme. Angazhimi për mbrojtjen e të drejtave dhe përmirësimin e kushteve të punës mbetet një prioritet i vazhdueshëm i këtij procesi, i cili është udhëhequr dhe forcuar në mënyrë të qëndrueshme nga Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome, përmes punës së saj në komunitet dhe mbështetjes së organizimit të punëtorëve.