LRER dhe organizatat civile kërkojnë përfaqësim më të fortë të romëve dhe egjiptianëve në administratë

April 30, 2026

Rishikimi i ligjit “Për Nëpunësin Civil” dhe i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore” u konsiderua një mundësi konkrete për të reflektuar në praktikë angazhimet që Shqipëria ka marrë për përfshirjen e komuniteteve rome dhe egjiptiane në administratën publike.

Gjatë konsultimit të zhvilluar mbi këto dy projektligje, organizatat e shoqërisë civile theksuan nevojën që ndryshimet ligjore të pasqyronin në mënyrë të qartë detyrimet që burojnë nga “Deklarata e Poznanit”, ku Shqipëria është angazhuar për rritjen e pjesëmarrjes së romëve dhe egjiptianëve në sektorin publik.

Në këtë proces konsultimi morën pjesë përfaqësues nga Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome dhe organizatat partnere (Drejtësi Sociale, Qendra për Advokim Social, Fuqizim dhe Organizim Komunitar – CEO, Qendra Treja dhe Aksion Komunitar), të cilat kërkuan që kuadri i ri ligjor të krijonte hapësira më të qarta dhe më efektive për përfaqësimin e këtyre komuniteteve në administratën shtetërore.

Sipas qëndrimeve të paraqitura gjatë diskutimeve, përfshirja e romëve dhe egjiptianëve në institucionet publike nuk duhet të mbetej vetëm një objektiv politik apo një zotim formal, por të shoqërohej me instrumente konkrete ligjore dhe mekanizma zbatimi. Një qasje e tillë u vlerësua si në përputhje edhe me rekomandimet e Bashkimit Evropian, i cili ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e masave afirmative dhe politikave të punësimit për të garantuar përfaqësim më të drejtë të këtyre grupeve, të cilat vijonin të mbeteshin të nënpërfaqësuara në administratën publike.

Përfaqësuesit e organizatave pjesëmarrëse vlerësuan se një administratë publike gjithëpërfshirëse nënkuptonte institucione më të forta, më të përgjegjshme dhe më afër qytetarëve. Në këtë kuadër, rishikimi i dy ligjeve u konsiderua një moment i rëndësishëm për kalimin nga angazhimet ndërkombëtare drejt politikave kombëtare konkrete, me synimin për ndërtimin e një administrate publike që garanton barazi, përfaqësim dhe shërbim për të gjithë qytetarët, pa përjashtim.