Jeta e punëtorit nuk negociohet: Tubim për më shumë siguri në punë në 1 Maj

May 1, 2026

Sot, më 1 Maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, u zhvillua tubimi publik i organizuar nga Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë, ku pjesë e tij ishte edhe Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome, së bashku me organizata të tjera të shoqërisë civile dhe sindikata.

Gjatë tubimit u ngritën shqetësimet mbi sigurinë dhe të drejtat në punë në Shqipëri, duke sjellë në vëmendje një realitet shqetësues ku kushtet e punës vazhdojnë të rrezikojnë jetën e punëtorëve. Vetëm gjatë vitit 2025, 48 punëtorë humbën jetën në vendin e punës, një shifër që tregon nevojën urgjente për masa konkrete dhe zbatim efektiv të legjislacionit.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua punëtorëve të shërbimeve të pastrimit, të cilët punojnë çdo ditë në kushte të vështira dhe shpesh pa mbrojtjen e nevojshme. Roli i tyre është thelbësor për funksionimin e përditshëm të qytetit, ndërsa siguria dhe dinjiteti i tyre në punë mbeten domosdoshmëri.

Përmes këtij tubimi u ngrit zëri për masa konkrete, rritje të përgjegjshmërisë institucionale dhe garantimin e kushteve të sigurta dhe dinjitoze për të gjithë punëtorët.

Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome, si pjesë e Koalicionit Shqiptar për të Drejtat në Punë, riafirmon angazhimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe forcimin e ndërgjegjësimit publik mbi sigurinë në punë si një e drejtë themelore.