Mbrojtja e të drejtave dhe organizimi i komunitetit për të ngritur zërin janë ADN-ja e Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome.
LRER lindi si një nismë e disa të rinjve, të cilët vendosën t’u vijnë në ndihmë familjeve rome dhe egjiptiane, që po përballeshin me dëbimin nga banesat e tyre, për shkak të një investimi publik në qytetin e Elbasanit. LRER, që në fillimet e saj u konceptua si një organizatë me bazë komunitare, e aftë për të krijuar një marrëdhënie besueshmërie me komunitetin dhe për ta angazhuar atë në procese advokimi të mirëfillta.
Fokusi i veprimtarisë së organizatës është mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të anëtarëve të minoritetit Rom dhe Egjiptian, aksesi i shërbimeve publike në fushat si: strehimi, punësimi, arsimimi, lufta kundër diskriminimit si dhe përhapja e ndjenjës dhe kulturës rome dhe egjiptiane. Gjatë periudhës 2014-2024, kemi ndërmarrë nisma të ndryshme përmes organizmit të komunitetit, për të shtyrë në ndryshimin e legjislacionit që lidhet me nevojat kryesore ose për të vënë në zbatim akte juridike të pazbatuara në dëm të interesave të minoritetit Rom dhe Egjiptian.
Përgjatë veprimatrisë së saj që nga viti 2014 LRER ka ndikuar me anë të përpjekjeve të aktivistë dhe organizimit të komunitetit në përfshirjen për herë të parë të nxënësve egjiptianë në kategorinë e përfituesve të librave falas për arsimin 9-vjecar, në akordimin e bursave dhe teksteve shkollore falas për nxënësit rom dhe egjiptian që ndjekin arsimin e mesëm profesional, në përmirësimin e skemës së ndihmës ekonomike të vitit 2015 që përjashtoi padrejtësisht një numër të lartë familjesh, në aplikimin për herë të parë në Bashkinë Elbasan të programit të subvencionit të qerasë për familjet e pastreha, në përmirësimin e programe të nxitjes së punësimit të ofruara nga shtetit, në dokumentimin historik të origjinës dhe të dhënave demografike të minoritetit Egjiptian në Shqipëri – Census, etj.
Pavarësisht arritjeve, kemi përpara shumë sfida të cilat do ti kalojmë sëbashku me komunitetin. Ambjenti i organizatës ndodhet pranë komunitetit dhe është gjithmonë i hapur për çdo problem ose ankesë. Ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë duke mobilizuar komunitetin me qëllim që rruga ligjore dhe bashkëpunimi me institucionet të cojë drejt zgjidhjes së problemeve dhe përmirësimit të jetës së njerëzve.