Mbështetja e nxënësve nga familjet në nevojë, të cilët për arsye ekonomike rrezikojnë të braktisin arsimin bazë, mbetet një ndër sfidat kryesore për institucionet vendore dhe organizatat e shoqërisë civile. Në këtë kuadër, Lëvizja Rinore Rome dhe Egjiptiane (LRER) ndërmori një nismë konkrete për të mbështetur nxënësit rom dhe egjiptian në rrezik braktisjeje në Bashkinë Fier, përmes përfitimit të bursave shkollore sipas VKM Nr. 666.
Me fillimin e vitit shkollor 2023–2024, LRER, në bashkëpunim me shkollën 9-vjeçare “Zhupan”, identifikoi nxënësit në rrezik braktisjeje, duke qenë se kjo shkollë ka një përqendrim të lartë të nxënësve nga komunitetet rome dhe egjiptiane. Pas evidentimit të rasteve nga drejtoria e shkollës, u organizuan takime informuese me prindërit për t’i njohur me mundësinë e aplikimit për bursë dhe rëndësinë e vijimit të rregullt të arsimit.
Si rezultat i këtij procesi, 14 nxënës rom dhe egjiptian të klasifikuar në rrezik braktisjeje aplikuan për bursë për vitin shkollor 2023–2024.
Këshilli Bashkiak Fier, në mbledhjen e radhës, mori në shqyrtim kërkesën dhe miratoi ofrimin e bursave për të gjithë nxënësit aplikues, duke mundësuar vijimin e arsimimit për fëmijët nga familjet në vështirësi ekonomike. Kjo ndërhyrje shënon një hap të rëndësishëm në parandalimin e braktisjes shkollore dhe në promovimin e barazisë në arsim për komunitetet rome dhe egjiptiane në Bashkinë Fier. 📚

