Sot, në kuadër të 8 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome mori pjesë në aktivitetin kombëtar “Së bashku për përfshirje dhe pjesëmarrje”. Ngjarja u organizua si një platformë dialogu mes institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, aktivistëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, me fokus forcimin e pjesëmarrjes dhe përfshirjes së komuniteteve rome dhe egjiptiane në Shqipëri.
Në qendër të diskutimeve ishte prezantimi i Planit të Veprimit 2026–2030 për Barazi, Përfshirje dhe Pjesëmarrje, një dokument që synon të adresojë sfidat me të cilat përballen këto komunitete. Përfaqësuesit e organizatës ndanë përvojat e tyre dhe evidentuan vështirësitë e përditshme: regjistrimi civil, akses i kufizuar në arsim, punësimi i ulët, pengesat në formimin profesional, si dhe problemet e lidhura me mbrojtjen sociale dhe strehimin.
Megjithëse është bërë progres në nivel politikash, realiteti i shumë familjeve rome dhe egjiptiane mbetet i vështirë. Përjashtimi social, pabarazia dhe mungesa e aksesit të plotë në shërbimet bazë janë pjesë e përditshmërisë së tyre. LRER ritheksoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm për të ndërtuar politika publike që nuk mbeten vetëm deklarative. Organizata theksoi se pjesëmarrja reale e komuniteteve dhe fuqizimi i të rinjve janë thelbësore për të garantuar barazi dhe drejtësi sociale.
Kjo ditë simbolike shërben si një moment reflektimi dhe ndërgjegjësimi për të gjithë aktorët shoqërorë, duke rikujtuar se angazhimi për barazi, dinjitet dhe përfshirje nuk duhet të mbetet vetëm në letër, por të shfaqet në veprime konkrete në terren.

